Zemaj: Prokuroria ka pasë mundësi të marrë informacione edhe për shkelje tjera

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është thirrur për të debatuar lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. E lidhur me këtë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në emisionin “Click” në RTV21 tha se Prokuroria ka pasë mundësi me marrë informacione edhe rreth dyshimeve për shkelje tjera ose për tenderë tjerë njëburimor që deputetët i shpërfaqin sipas informacioneve të tyre.

Megjithatë, ai u shpreh së nuk duhet të ketë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Askush nuk duhet të ndërhynë në punët e tyre në kuptimin e asaj se të lënë një shije të keqe ose të frikësojë prokurorët të bëjnë punën e tyre ose të etiketojë hetues fillestar edhe në fund të fundit edhe ata që gjykojnë” u shpreh Zemaj duke thënë se kjo është e papranueshme.

Zemaj tutje u shpreh se po e ndihmojnë Qeverinë edhe sistemin parlamentar e kushtetues, duke thënë se po e ushtrojnë rolin e tyre si të zgjedhurit e popullit.

“Nëse dalim me fakte e me shënime e statistika të cilat janë shqetësuese për një keqmenaxhim ose dyshime për abuzime të fondeve publike kjo ndihmon një Qeveri e cila duhet të jetë kushtimisht e përgjegjshme dhe të jetë në shërbim të interesave, por jo të grupeve të caktuara apo klientelës politike”, tha Zemaj në RTV21.

Debati parlamentar për kryeshefin e arrestuar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka zgjatur mbi gjashtë orë. Krasniqi është arrestuar një javë më parë për shkak të dyshimit se ka kryer veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”./21Media

Back to top button