Ish ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka deklaruar se qeveria Kurti ka gënjyer qytetarët dhe nuk ka plan për menaxhimin e pandemisë.

Zemaj në një konferencë për media, ka paraqitur kërkesat e LDK-së për Qeverinë Kurti, derisa ka thënë se nëse nuk sigurohen vaksinat, mund të rrezikohen edhe ata që kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

“Kjo qeveri ka gënjyer qytetarët duke thënë se prioriteti i saj është gjendja pandemike, ashtu siç po del të jetë mashtrim çdo kauzë në të cilën doli para qytetarëve, morri vota dhe ndryshoi qëndrim menjëherë pas marrjes së pushtetit. I kujtojmë qeverisë se 8 qershori është afati i dozës së dytë të vaksinës po nga i njëjti prodhues Astrazeneka, por vaksina nga ky prodhues nuk ka, për më tepër nuk ka as qartësi se vaksinat donacion nga BE dhe pjesa tjetër nga Covaks do të jenë nga ky prodhues”, tha ai, duke shtuar se donacionet nga vendet mike janë të mirëseardhura por qytetarët presin nga qeveria e tyre të kontraktojë kompanitë private sa më parë që është e mundur në mënyrë që furnizimi me to të jetë i bollshëm.

Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë ritëm, Kosovës do t’i duhen më shumë se tri vjet për ta përmbyllur procesin e vaksinimit të popullsisë, ndërkohë që qytetarët çdo ditë po vdesin.

Zemaj shtoi se Qeveria e Kosovës nuk ka plan për menaxhimin e pandemisë dhe deri tani nuk ka treguar se e ka prioritet shëndetin e qytetarëve tanë.

“Qeveria lere që nuk ka plan për pandemi por ende nuk ka plan as platformë qeverisëse, andaj për të dal nga kjo gjendje e pashpresë, LDK kërkon të ndermirën veprimet e menjëhershme. Qeveria të dëshmojë me veprime konkrete se shëndeti i qytetarëve është prioritet mbi prioritete, të hartohet protokolli për vaksinonim, kur dhe kush duhet të vaksinohet sipas planit të publikuar, të mbikëqyrë rreptësishtë masat anti-Covid, të krijohen kushtet për personelin shëndetësor, të motivohen për ngritjen e cilësisë dhe sasisë së shërbimeve, të bëhet shtimi i pagesës për punëtorët shëndetësor, të shtohet komunikimi te qytetarëve për rreziqet që akoma po shkakton Covid-19, dhe të sensibilizohet opinioni për domosdoshmërinë e vaksinimit. Diçka të tillë nuk e kemi parë, nuk po e shohim dhe kjo ka krijuar edhe dyshime të ngritura edhe shqetësime te profesionistët shëndetësor“, ka thënë ai.

Ai tha se LDK kërkon të shtohen përpjekjet te miqtë ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës, të sigurojë barnat për çdo pacient me Covid-19, të rritet kontrolli i inspektorëve të cilët duhet ta kontrollojnë tregun ku çmimet e barnave kanë rritje enorme.

“Qeveria të rris bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë, jo të mbaj inate për daljen nga ky qorrsokak dhe të hap rrugë për qytetarët që duan të vaksinohen sipas dëshirës në Shqipëri, para përkeqësimit të mëtutjeshme të situatës pandemike”, tha Zemaj.