Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se si Qeveri e Ministri po lufojnë më të gjitha mënyrat dhe potencialin që kanë.
Zemaj ka shkruar se virusi po e pengon mërgatën dhe se Kosova pa ta po duket e zbrazët.

“Këtë stinë Kosova duket e zbrazur pa qindra e mijëra mërgimtarët tanë. Këta s’po vijnë, sepse nëse rikthehen andej në shtetet ku jetojnë janë të detyruar të rrinë në karantinë. Ne si qeveri e ministri po luftojmë më të gjitha mënyrat dhe potencialin që kemi”, ka thënë Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë tutje ka theksuar se janë duke ndjekur praktikat mjekësore e shkencore sikurse shtetet e zhvilluara.

“Kemi angazhuar një armatë të tërë njerëzish e profesionistësh në luftë kundër Covid19. Qeveria e Kosovës, i tërë stafi i Ministrisë së Shëndetësisë, qindra mjekë e infermierë në tërë Kosovën që tashmë si përforcim janë dhe 100 mjekë të rijnë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknik dhe mbështetës që janë angazhuar rishtas në shërbimet shëndetësore spitalore së fundi të riorganizuara, “Bordi Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19” me prof. Dr. Lul Rakën kryesues, “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”/ IKShPK drejtuar nga prof. Dr. Naser Ramadani, SHSKUK drejtuar nga u.d. dr. Valbon Krasniqi, dhjetëra inspektoret sanitare të AVUK-ut dhe inspektoratet komunale e inspektoratet e tjera përkatëse, autoritetet komunale, policia (me rreth 4000 pjesëtarë të angazhuar enkas në luftën kundër Covid19), stafi nga Qendra Operative Emergjente, sikurse një sërë mekanizmash të tjerë shtetërore, po e bëjmë të pamundurën që ta mposhtim këtë të keqe që po na rëndon çdo ditë jetën. Jemi në proces të licencimit të laboratorëve që do të realizojnë testime për Covid19 për qytetarët”, ka shkruar ai tutje.

Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat anticovid-19.

“Na është imponuar normaliteti i ri, ku detyrimisht duhet të përshtatemi e të mësohemi, që secili nga ne të vendosim maska, të ruajmë distancimin social, të mbajmë higjienën duke shpërlarë e dezinfektuar duart vazhdimisht. Na ka izoluar dhe s’mund të lëvizim lirshëm nëpër kufijtë. Covid19 nuk e kursen askënd. Asnjëri nga ne nuk jemi imun ndaj tij. Ne si individë, e si shoqëri, maksimalisht duhet të jemi të përgjegjshëm. Nëse nuk mbrohemi duke zbatuar rregullat antivirus kjo dergjë do të zgjas edhe më tej. Mbajtja e maskës nuk është sakrificë. Është heroizëm. E shpëton veten, familjen dhe të tjerët. Juve që s’mbani maska, përveç se mund të infektoheni, njashtu nxitni papërgjegjshmëri edhe tek të tjetër. Përkujdesuni për veten dhe të dashurit tuaj. Respektoni rregullat anticovid19”, ka thënë Zemaj./21Media