Ministri i Shëndetësisë,  Armend Zemaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e doktorit Fadil Zuka. Ai e ka cilësuar Zukën si një shembull për përkushtimin e tij në punë e profesion.

“Me rastin e ndarjes nga jeta të mjekut familjar dr. Fadil Zuka, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, qytetarëve të Vitisë dhe komunitetit mjekësor në Kosovë.
Duke i shërbyer profesionit të mjekut dhe popullit të tij në luftën kundër Covid-19 deri në momentet e fundit të jetës së tij, dr. Zuka do të mbetet një shembull i profesionistit të përkushtuar, të dashur e vlerësuar nga kolegët dhe pacientët e tij të cilëve u shërbeu me dinjitet e profesionalizëm.
Respekt për jetën dhe veprën e tij!”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Fadil Zuka është doktori i parë në Kosovë i cili vdiq, pas diagnostifikimit të tij edhe me Covid-19. /21Media