Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku dhe zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini vizituan komunën e Ferizajt ku u pritën nga kryetari i kësaj komune Agim Aliu.

Me këtë rast, zëvendësministri Gecaj u njoftua nga kryetari Aliu me veprimet që janë duke u bërë nga kjo komunë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, por edhe me angazhimin e institucioneve vendore, për menaxhimin e situatës me qëllim që virusi COVID 19 të mos përhapet edhe më tej.

“Në këtë takim u diskutua në detaje për menaxhimin e pandemisë në këtë komunë si dhe mësimet që mund të nxirren nga kjo situatë, por edhe nga përvojat e vendeve tjera. Gjithashtu u shkëmbyen informata në relacionet në nivel qendror-komune dhe u ra dakord që të raportohet nga secili segment në zinxhirin e tyre institucional. Fjala është për  këmbimin e informacioneve në relacionet komunë, MAPL, dhe për  pjesën shëndetësore në MSH. Ndërsa,  policia të vazhdojë të veprojë nëpërmjet zinxhirit të tyre komandues. Zëvendësministri Gecaj tha se kjo do të mund t’u shërbente përgatitjeve për fazat e mundshme në të ardhmen si dhe për hartimin e strategjive adekuate të adresimit të krizave të tilla në të ardhmen e afërt apo të largët”, thuhet në komunikatë.

U vlerësuan lartë edhe angazhimet e Shtabit Emergjent Komunal, të policisë vendore, të mjekëve dhe të qytetarëve për përballimin e situatës.

Në takim, pos një pjese të Shtabit të Krizës, ishin të pranishëm edhe  komandanti rajonal i policisë, përfaqësuesi i Spitalit rajonal ( QMF), dhe përfaqësuesit e Degës rajonale të Institutit Kombëtar te Shëndetit Publike./21Media