Dje për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, Prizreni ka zbuluar dy shtatore, atë të Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit. Megjithatë, mënyra se si janë punuar këto shtatore nuk është mirëpritur.

Për këtë përmes një shkrimi në “Facebook” ka reaguar zëvendësministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Halil Matoshi, duke thënë se dy heronjtë kryesor të historisë shqiptare Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari janë fyer.

“E trishtueshne qysh nuk ua vret synin!? Në përmasa t’pasakta të anatomisë së njeriut (madje të sakatueme) dhe në primesa t’shemtueme estetike, në Prizren janë fye dy heronjtë kryesor të historisë shqiptare Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari!
Ky nuk është as kiç (kitsch) që i përshtatet shijes së masave, sepse edhe njeriu ma i paedukumë artistikisht e vëren se përmasat dhe karakteret e dy figurave janë skandaloze. Shtatoret e Gjergjit dhe Adem Jasharit janë shprehje e një gjendjeje gulçimi të shtangun, pune shkel e shko e ngërçi mendor të nji shoqnie dhe guximi prej budalle të ndonji kinse skulptori amator”, ka reaguar Matoshi.

Tutje ai ka bërë thirrje që të largohen ato dy shtatore menjëherë dhe të hapet një konkurs publik ndërkombëtar.

“Qytetarët me sadopak edukim estetik, që duketantizmi ua vret synin duhet me protestu dhe pushtetarët duhet t’i heqin ato dy shtatore, menjëherë, për me hapë konkurs publik ndërkombëtar. Gjergji e Ademi meritojnë vepra arti më të lartë”, ka thënë ai.

Për dukjen e shtatoreve ka reaguar edhe deputetja, Blerta Deliu duke thënë se shpërfytyrimi i këtyre figurave, në esencë, deformon dhe vetë historinë

“Shtatoret nuk janë ‘flyer-a’ elektoral për një përdorim. Ato monumentojnë një ngjarje apo epokë historike. Me të njëjtin seriozitet të trajtimit të historisë duhet gdhendur edhe figurat që identifikojnë periudhat e caktuara historike. Shpërfytyrimi i këtyre figurave, në esencë, deformon dhe vetë historinë. Sa i respektojmë, e tregojmë në mënyrën se si i kujtojmë!”, ka shkruar Deliu.