Zgjatet orari i vaksinimit anti-COVID në Prishtinë

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka marr vendim që të zgjatet orari i vaksinimit me vaksina kundër COVID-19.
“Kujdesi Parësor Shëndetësor- Drejtoria e Shëndetësisë-Komuna e Prishtinës në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në MSH kemi vendosur që duke filluar nga dita e mërkurë me dt. 12.01.2022 të zgjasim orarin e vaksinimit në QMF Vll në Kalabri si vijon: E hënë – e premte nga ora 07:00-19:00 dhe e shtunë e diele nga 07:00-15:00”, thuhet në një njoftim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të bërë në Facebook.

Ministria e Shëndetësisë sot për rtv21.tv ka konfirmuar se deri tani janë dhënë 21 mijë e 223 doza përforcuese kundër Covid-19. Ndërsa, janë dhënë 2 mijë e 117 doza të treta.
Sipas ministrisë, në 24 orët e fundit janë dhënë 904 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.693.666 doza të vaksinës.
Deri më sot, 790.175 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit nuk ka vdekur asnjë person që ka qenë i prekur me Covid-19, ndërsa janë konfirmuar edhe 236 raste të reja. Në total numri i rasteve aktive është 1.780./21Media

Back to top button