”Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor”, thotë Bajraktari

(Lajm i përditësuar)

Bajraktari: Nuk ka sanksione për Presidenten, mungon konstatimi i shkeljes nga Kushtetuesja

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Click” në RTV21, ka deklaruar se nuk ka asnjë sanksion për Presidenten, pasi në këtë rast nuk konsiderohet se ka pasur shkelje të Kushtetutës.

Ai theksoi se institucioni i vetëm që mund të përballet me penalizim në rast të shkeljeve kushtetuese është vetë institucioni i Presidentes, por kjo vlen vetëm nëse ka një konstatim të tillë nga Gjykata Kushtetuese.

“I vetmi institucion që ka penalizim nëse ka shkelje në përputhje me Kushtetutën është institucioni i Presidentes, por në këtë rast, derisa nuk ka ndonjë konstatim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë se nuk ka”, deklaroi Bajraktari.

Sipas tij, vendimi i fundit i Kushtetueses e qartëson se në mungesë të një vlerësimi zyrtar për shkelje, nuk mund të ketë pasoja juridike për Presidenten.


Vendimi i Kushtetueses, Bajraktari: Vendim balancues që përcakton standarde të reja

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Click” në RTV21, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Sipas Bajraktarit, vendimi lë hapësirë për të konstatuar se bëhet fjalë për një vendim të natyrës balancuese, i cili njëkohësisht i jep të drejtë edhe Presidentes Vjosa Osmani, duke nënvizuar se ajo nuk ka shkelur Kushtetutën.

Ai theksoi se ky vendim ka vendosur disa standarde të rëndësishme që duhet të aplikohen në të ardhmen, veçanërisht sa i përket afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

“Fakti që 60-ditëshi është i rëndësishëm dhe, nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje”, deklaroi Bajraktari.

Ai tutje ka shtuar se “Afati 34-ditor fillon të llogaritet nga sot, ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor”./RTV21/21Media

Back to top button