Haxhiu: Zgjedhjet të mbahen pas vendimit të Kushtetueses në respektim të afatit zgjedhor.-Haziri: Mbajtja e zgjedhjeve është tepër luksoze.-Gjini: Kuvendi duhet të çojë mandatin deri në fund të paktën një herë.-Miftaraj: Afati prej 45 ditësh do të ishte optimal për mbajtjen e zgjedhjeve.-Aliu: Muajin qershor për zgjedhje e kemi humbur me afate kushtetuese

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, subjektet politike në Kosovë shprehen pro dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend pas rrëzimit të Qeverisë Kurti. Derisa në Lëvizjen Vetëvendosje këmbëngulin që zgjedhjet të mbahen brenda 45 ditëve pas vendimit të Kushtetueses, mbajtjen e zgjedhjeve të reja e kundërshtojnë dy partitë që po pretendojnë ta formojnë qeverinë e re, LDK-ja dhe AAK-ja. Kurse, njohësit e sistemit zgjedhor e japin muajin korrik si mundësi për zgjedhje të reja, nëse Kushtetuesja e rrëzon dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin.