Zgjedhjet për Himarën, procesi i numërimit pritet të nisë afër mesnatës

Në Himarë u mbyll sonte procesi zgjedhor për kryetarin e ri të bashkisë, teksa procesi i numërimit pritet të nisë afër mesnatës në Komisionin Zonal Zgjedhor pasi dërgimi i kutive dhe materialeve zgjedhore nga qendrat e votimit në gjithë territorin e bashkisë kërkon kohë.

Në garë të parin e bashkisë garojnë Petraq Gjikuria, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë dhe Vangjel Tavo nga Partia Socialiste”.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 37.69%, ku nga 23.074 votues gjithsej në listë kanë marrë pjesë në votime 8.678 persona. Pjesëmarrja është më e lartë se në zgjedhjet vendore të një viti më parë ku në bashkinë e Himarës votuan 7.655 zgjedhës.

Një nga problemet më të mëdha në votimet e së dielës në Himarë ishte se rreth gjashtë mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduar.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Himarë se “janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme.”

Zgjedhjet në Himarë vijnë pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Bashkia e Himarës u drejtua pas zgjedhjeve vendore nga kryetari në detyrë Jorgo Goro. i cili u arrestua nën dyshimet për regjistrimin e parregullt të pasurive të patundshme. Më pas bashkia u drejtua nga Blerina Bala e cila dha dorëheqjen dhe Arqile Bollano i cili është gjithashtu në hetim për çështje pronash.

Back to top button