Bytyqi kërkon mbështetje nga KGJK

Bytyqi kërkon mbështetje nga KGJK

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur një takim i përbashkët ku të pranishëm ishin kryetarët e gjykatave,  koordinator për lëndët e shënjestruara të mekanizmit përcjellës, si dhe gjyqtarët e kësaj Gjykate nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni për Çështje Penale dhe Departamenti për të Mitur.

Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte koordinimi i të gjitha institucioneve gjyqësore në zgjidhjen e menjëhershme të lëndëve për liberalizim të vizave.

Me këtë rast, Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës kërkoi nga gjyqtarët e kësaj Gjykate që të bashkëpunojnë që sa më parë të zgjidhen rastet e korrupsionit dhe të shihen rezultatet.

“Kërkoj nga të gjithë ju që të thelloni bashkëpunimin dhe sa më parë të kemi rezultatet e para në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Ne ju premtojmë mbështetje për secilin gjyqtar që merret me këto raste”, deklaroi Idrizi.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi tha se në gjykatën të cilën ajo drejton janë 18 raste për liberalizim të vizave prej të cilave 3 janë të përfunduara.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjithsej lëndë të shenjëstruara janë 18, prej të cilave 3 janë të përfunduara. Të gjitha lëndët janë në procedurë dhe ne jemi të përkushtuar që sa më parë ato t’i zgjidhim” tha Bytyqi.

Po ashtu kryetarja kërkoj mbështetje nga KGJK, për trajtimin e këtyre lëndëve.

Të gjithë krerët e institucioneve gjyqësore u dakorduan që do të trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët të cilat ndërlidhen me liberalizim të vizave.