Kjo periudhë ka qenë tepër e ngarkuar për të gjithë dhe shumë prej jush mezi presin të largohen drejt plazhit, dhe natyrës së qetë për tu çlodhur. Por kudo që të shkoni, mendja juaj do të ngelet mbrapa pasi do të lini shtëpinë bosh dhe problemi kryesor do të jetë se kush do të kujdeset për gjerat që keni ne të.

Një nga gjërat që duan më shumë kujdes janë vazot me lule, të cilat duhen ujitur sepse vapa është e padurueshme edhe për to. Por, çfarë duhet të bëni që të kaloni pushime të qeta?

Gjëja e parë që duhet të bëni është t’i largoni vazot në një vend të ballkonit apo verandës së shtëpisë tuaj ku nuk bie dielli. Sa më pak diell të ketë, aq më ngadalë do të avullojë lagështia nga dheu.

Gjithashtu, para se të largoheni nga shtëpia është mirë që t’i ujisni dhe njëherë të fundit. Nëse pushimet tuaja do të zgjasin 7 deri në 10 ditë atëhere disa nga alternativat që keni për të mbajtur bimët në lagështinë e duhur janë këto:

Mbushni bidona plastikë dhe mbyllni kapakun e tyre lirshëm ose hapni disa vrima në të. Më pas vendosni bidonat të kthyer për mbrapsht në brendësi të vazos.

Gjithashtu një zgjidhje më efikase është vendosja e një garze në një bidon me ujë dhe më pas ta vendosim në vazon e lules, ajo do ndihmojë mbajtjen e lagështisë për një kohë sa më të gjatë. Mund të merrni në dyqan edhe një xhel apostafat, që ruan lagështinë e dheut.