Zharku: Qeveria të sqarojë pse u dhanë 53 milionë euro për Bechtel-in

Zharku: Ne i kemi kryer të gjitha detyrimet që kanë qenë në përputhje me kontratën

Qeveria e Kosovës, do ta kompensojë kompaninë Bechtel Enka me një shumë prej 53 milionë euro, pas zgjatjes së kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”, deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se këtë e kanë bërë që të mos e lejojnë vendin, që të kalojë në konteste ligjore, e të cilat do të përfundonin në Gjykata ndërkombëtare.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, fajin për këtë e ka hedhur tek Qeveria e kaluar, e cila sipas tij nga viti 2014 deri 2017, nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie dhe se për shkak të këtyre vonesave, është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Të ndodhur në këtë situatë, Lekaj tha se në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, kanë qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës, në mënyrë që të mos ndërpriteshin punimet, gjë që do të kishte pasoja të dëmshme për vendin.

“Ndërtimi i saj ishte paraparë më 1 janar 2018, meqenëse ish Qeveria e Kosovës që nga viti 2014 deri në vitin 2017, nuk kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie. Për shkak të këtyre vonesave, është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor. Dhe kjo është dakorduar me marrëveshje të datës 27 shtator 2017, pasi që Qeveria e kaluar dhe ish ministri, nuk ishin pajtuar të nënshkruajnë këtë marrëveshje, përkundër qindra takimeve të mbajtura dhe përkundër vendimit të Komitetit Drejtues ndërministror të muajit shtator, të vitit 2016, për aprovimin e kësaj marrëveshje. Pra të ndodhur në këtë situatë në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, ne kemi qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës deri më 31 dhjetor 2018, në mënyrë që të mos ndërpriten punimet, gjë që do të mund të kishte pasoja të dëmshme për vendit… Pas negociatave intensive të zhvill uara mes dy palëve kemi arritur që kjo shumë të ulet në 45 milionë euro, duke shtuar TVSH-në 18 për qind, në shumë prej 8.1 milionë euro, për një shumë të përgjithshme, që do të thotë shuma e përgjithshme 53 milionë e 100 mijë euro”, ka thënë Lekaj dje në mbledhjen e Qeverisë.

Por paraardhësi i Lekajt, ish ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku mohon të gjitha ato që ka thënë Lekaj. Ai tha për Kp se Qeveria e kaluar, i ka kryer të gjitha detyrimet, që kanë qenë në përputhje me kontratën.

Zharku tha se për shtyrje të punimeve, ata kanë pasur një marrëveshje, për t’ia paguar ‘Bechtel Enkes’ një shumë prej 14 milionë euro.

Ndërsa, kërkon nga Qeveria që të jap sqarime, se si erdhi tek shuma prej 53 milionë euro, e cila nuk është paraparë me kontratë.

“Qeveria e kaluar i ka kryer të gjitha detyrimet, që kanë qenë në përputhje me kontratën. Siç e dini të gjithë, Kuvendi i Kosovës, nuk ka ndarë mjete të mjaftueshme për me zbatu kontratën në kohen e paraparë për 3 vjet e gjysmë. Por, ne kemi pasur një marrëveshje me ‘Bechtel Enken’, që për shtyrje të afatit, përfundimit të punimeve me u pagu shuma prej 14.78 milionë euro. Jo penale, por kosto për shtyrje të punimeve. Diferencën prej 14.78 deri në 53.1 milionë që e ka ndarë dje Qeveria, unë kërkoj prej tyre që ata me sqaru si kanë mund me llogarit…Nuk ka kurrfarë arbitrazhi. Unë konsideroj se është jo kontraktuale shuma e ndarë. Prapë po kërkoj publikisht nga Qeveria me sqaru shumën prej 14.78 që është e paraparë me kontratë, deri në 53.1 milionë, që nuk është e paraparë me kontratë. Ata duhet me sqaru në çka janë bazuar. Si i kanë bërë përllogaritjet, kush i ka vërtetu ato shp enzime, që është dashur me u nda ato mjete…Vendimi është në kundërshtim me kontratën”, thotë ish-ministri.

E gjithë kjo situatë, sipas Zharkut nuk është pasojë e mos kryerjes së punëve nga Qeveria e kaluar, por si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie.

“Jo kurrë. Jo kurrë. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie”, tha ai.

Kritika për këto që kanë ndodhur edhe tash por edhe në të kaluarën ka në taborin opozitar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë SocialDemokrate, Dardan Sejdiu, thotë se është për keqardhje, se si të gjitha Qeveritë tash e 18 vjet, po shpërfaqin mosdijen e tyre, sa i përket trajtimit të kontratave të tilla si kjo me ‘Bechtel Enken’, të cilat po i kushtojnë shumë buxhetit të vendit.

“Ajo që është për keqardhje është se kjo shpërfaq mos dijen, mos azhuritetin e qeverive tash e 18 vjet, në trajtimin e kontratave siç është kjo me ‘Bechtel Enken’. Pra gjithsesi po futemi gjithherë në kontrata, të cilat po i kushtojnë buxhetit dhe qytetarëve të Kosovës shumë më shumë, se do t’i kushtonte çdo qytetari tjetër në Evropë. Pra ne ende nuk i kemi parë kontratat me ‘Bechtel Enken dhe ende nuk e dimë se çka ka në atë kontratë. Përderisa knej vijnë e thonë se duhet të paguajmë gjoba 53 milionëshe”, tha Sejdiu.

Për shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje Glauk Konjufca ajo që po ndodh me pagesat për ‘Bechtel Enke’, është shqetësuese.

“Kjo ka qenë shumë shqetësuese, për shkak se me të vërtetë në këtë vend, kërkush nuk po merret me përgjegjësitë, qysh erdhëm deri tek kjo gjendje. Diqysh po kalohen punët shumë shpejtë dhe çështjet po kapërcehen pa dhënë llogari kërkush, kush e bëri gabimin. Kjo është shumë me rëndësi në një shtet demokratik. Ku s’ka përgjegjësi dhe kur s’tregohet kush ka gabu dhe me marrë përgjegjësinë dhe me u përballë dhe me drejtësinë, ne nuk mujna me ec përpara. Këtu kemi pas të bëjmë me dënime, me penalltitë, për shkak të kompanisë dhe vonesës së punimeve. E para duhet ta ngrisim dhe njëherë çështjen se çfarë kontrate ka nënshkruar Qeveria e Kosovës. Ajo është kontratë e tmerrshme. Kosova penalizohet edhe kur bjen breshër, edhe për shkak të klimës. Edhe për shkak të vonesave që ndodhin dhe nuk varen prej neve hiq”, tha Konjufca për KosovaPress.

Ai kërkon të dijë se kush është fajtor për krej këtë qka ka ndodhur, ministri i kaluar apo se krejt qka ka ndodhur me këtë rast.

“Unë qysh e di ministri i kaluar i Infrastrukturës, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vonesat e pagesave. Tani Pal Lekaj është hy në negociata, për me mujt me letu këto dhe e ka humbur kontestin. Tash nuk po e dimë a ka mund diçka me u rregullu, a janë krejt përgjegjësitë e ministrit të kaluar, që u vonu në pagesa …A ka përgjegjësi në këtë shtet. A ka prokurori. A duhet me thirrë prokuroria ministrin e kaluar me specifiku saktë, ku është përgjegjësia…. Bechtel Enka 2 miliardë i ka marrë deri tash”, tha Konjufca.

Sipas tij krejt kjo po ndodh për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm që ka Kosova.Konjufca madje kërkon që në këtë rast të involvohet edhe Prokuroria për të hetuar rastin.

https://rtv21.tv/qeveria-ndan-53-milione-euro-per-bechtel-enkan-2/

Back to top button