Takimi i liderëve me Mogerinin

Takimi i liderëve me Mogerinin

Ambasadori i BE-së në Maqedoni Samuel Zhbogar u shpreh optimist për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij në vitin 2018, punët mund të shkojnë mbarë drejt integrimit në BE.

Nga takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini në Bruksel, Zhbogar veçoi përmirësimin e dukshëm të raporteve ndërfqinjësore,shkruan tv21.tv

“Viti 2018 mund të jetë viti për rajonin, kur rajoni mund të bëjë hapa të pakthyeshëm në aspekt të integrimit në Bashkimin Evropian, nga ana tjetër, përkushtimi i kryeministrave të rajonit për të punuar në përmirësimin e raporteve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, gjë që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për integrim evropian”, tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Nga zyra e Bashkimit Evropian në Bruksel thanë se në vitin 2018, BE do të ofrojë mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm drejt integrimit në BE. Përfaqësuesja e Lartë, Frederika Mogerini, ka theksuar nevojën që të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor të përshpejtojnë reformat e nevojshme për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve të tyre.

“Viti 2018 do të ofrojë një mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm drejt integrimit të tij në BE, nëse i jepet prioritet maksimal reformave të nevojshme, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe të të drejtave themelore”, nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Nga qeveria e Maqedonisë theksuan se lajmi më i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2017 ishte shpallja e Strategjisë së Zgjerimit të BE-së të Presidentit të Komisionit Evropian, Junker, ndërsa kjo strategji ishte tema kryesore e diskutimit.

“Në takimin e mbrëmshëm kryeministri Zaev konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë drejtë realizimit të reformave në drejtësi, siguri dhe administratë publike, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me vendet fqinje. Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia pret vendin e saj në strategjinë për zgjerim të BE-së, e cila do të publikohet në shkurt të vitit 2018”, nga Qeveria e R.M.

Në takimin e mbrëmshëm, liderët nga rajoni theksuan se vitin 2018 e shohin si periudhë, kur të gjitha vendet do të jenë më afër BE-së.