Ziv për RTV21: Dobësimi i Iranit do të ishte përfitim edhe për Ballkanin

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë Tamar Ziv në një intervistë për RTV21 foli për situatën në Lindjen e Mesme.

Ajo tha se synim i fushatës Epic Fury ishte që t’i pamundësojnë Iranit që të ketë programet bërthamore.

“Tani po shënojmë ditën e 32-të të fushatës Epic Fury dhe synimet tona ishin që ta pamundësojmë Iranin që të ketë programet e tij bërthamore, që ishin shumë afër të nisnin dhe kjo ishte arsyeja kryesore e hapjes së kësaj fushate, sepse e dinim se Irani ka pasuruar uraniumin në një masë prej 60 për qind dhe ishte çështje ditësh që ata të vendosnin ta rrisnin këtë në 90 për qind që të kenë mundësi të krijojnë armë bërthamore. Dhe jo vetëm kjo, ne e dinim se ata në një kohë të shkurtër do të shkonin thellë nën tokë, edhe programet e tyre bërthamore edhe programet balistike dhe nëse kjo do të ndodhte atëherë askush madje as SHBA-ja, kur do të kishte bunkerë të bombave, nuk do të kishte mundësi të bënte asgjë ndaj programeve bërthamore. Dhe në këtë situatë nuk do të ishte vetëm Izraeli nën një kërcënim ekzistencial, por si e shihni të gjitha shtetet përreth Iranit gjithashtu do të ishin nën një kërcënim ekzistencial. Dhe ky ishte motivi për të nisur këtë operacion. Ne e dimë se shumë nga instalimet e Iranit janë shkatërruar dhe dëmtuar, por me kohë do të kuptojmë saktësisht çka.”, tha Ziv.

Më tej ajo tha se Hezbollahu dhe Hamasi nuk janë shkatërruar.

“Nuk është kjo saktësisht situata. Hezbollahu aspak nuk është shkatërruar. Hezbollahu ka vendosur më 2 mars t’i bashkohet luftës dhe e ka sulmuar Izraelin dhe që nga 2 marsi më shumë se 4 mijë raketa janë lansuar nga Hezbollahu ndaj Izraelit, kryesisht në pjesën veriore të Izraelit dhe jo vetëm. Prandaj Hezbollahu është shumë i përfshirë në këtë luftë së bashku me Iranin, që po e mbështet krijuesin e tyre dhe vendin kryesor që ka ndërtuar kapacitetet e tyre. Gjithashtu edhe Hamasi, fatkeqësisht, nuk është shkatërruar aspak. Hamasi nuk ka dashur që të çmontojë shumë armë të tij dhe situata është se Hezbollahu, Hamasi dhe tani edhe Houthit po luftojnë përkrah Iranit.”, deklaroi Ziv.

Ziv përmendi se Irani ka lansuar raketa me distancë 4 mijë kilometra.

“Siç e dini, vendet e tjera janë përfshirë kryesisht për shkak se Irani vendosi t’i sulmojë vendet që janë fqinjë, përfshirë Arabinë Saudite, Bahreinin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, madje edhe Omanin dhe lansuan raketë edhe në Turqi. Fatkeqësisht shumë shtete janë të përfshira në këtë luftë dhe mendoj se të gjitha vendet fqinje të Iranit janë shumë të interesuara që të zvogëlojnë forcën ushtarake të Iranit dhe kapacitetet e tij bërthamore dhe ato balistike sepse edhe ato paraqesin rrezik për të gjitha vendet në këtë rajon. Dhe përtej. Dhe një javë apo dhjetë ditë më parë, Irani ka lansuar një raketë me distancë 4 mijë kilometërshe që ka mundësi të arrijë Londrën ose Parisin. Irani ka lansuar raketë edhe brenda Qipros, që është pjesë e BE-së”, u shpreh ajo.

“Mendoj se vetë fitorja varet nga shanset që kjo të bëhet më shpejt dhe gjithashtu mendoj se do të mund të kishte më shumë përfitime që vendet që janë prekur nga kufizimet e kalimit në Gjirin e Hormuzit, në vend që të deklaronin lloje të përgatitjeve, t’i ishin bashkuar thirrjes së Presidentit Trump që të vijnë në rajon dhe të siguronin se Gjiri do të hapej dhe nafta e gazi do të mund të qarkullonin lirisht përmes kësaj pike strategjike.”, shtoi Ziv.

Ajo po ashtu u pyet se cili mund të jetë ndikimi i luftës në Ballkan. Ziv tha se dobësimi i Iranit do të ishte përfitim për gjithë botën.

“E di. Irani është një shtet jashtëzakonisht i rrezikshëm për botën, jo vetëm për Izraelin. Edhe pse Izraeli është në vijën e parë dhe për 47 vjet Irani ka vazhduar që të deklarojë se SHBA është “djalli i madh” dhe Izraeli është “djalli i vogël” dhe synimi i tyre përfundimtar ishte që ta shkatërrojnë edhe SHBA-në edhe Izraelin. Por Irani është shtet terrorist, është shtet që ka mbështetur organizata terroriste gjithandej botës, organizata që janë aktive jo vetëm në Lindjen e Mesme por edhe në Evropë dhe Amerikë si dhe në pjesë të tjera të botës. Prandaj duke e dobësuar shumë këtë regjim terrorist dhe me shpresë se një ditë ky regjim do të ndryshohet nga qytetarët e Iranit, qytetarët që po kërkojnë demokraci, marrëdhënie të mira me fqinjët do të krijonte një ndryshim të madh dhe shpresë në gjithë botën. Mendoj se dobësimi i Iranit do të thotë përfitim për të gjithë në botë dhe do të ishte edhe përfitim për Ballkanin gjithashtu. Një Iran i dobët nuk do të mund të targetonte p.sh. infrastrukturën kibernetike në Shqipëri, në Kosovë ose kudo tjetër. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë dhe Iranit. Ju e dini se Rusia e ndihmon Iranin me dezinformata dhe të tjera dhe e dimë se çfarë po ndodh në Ukrainë. Irani e ka furnizuar Rusinë me shumë dronë, ndoshta edhe me raketa dhe shumëçka është disi e ndërlidhur.”, u shpreh Ziv./21Media

Back to top button