Reagojnë institucionet e pushtetit lokal

Reagojnë institucionet e pushtetit lokal

Ditëve të fundit në Komunën e Ferizajt janë shpeshtuar rastet e zjarreve fushore dhe atyre malore. Kjo ka bërë që sot të reagojnë institucionet e pushtetit lokal, por edhe Policia e Kosovës.

Gjatë një konference të përbashkët për medie të thirrur nga drejtori i Shërbimeve Publike Arben Halili, drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami, koordinatori i Inspektoratit Ridvan Berisha, komandanti i Stacionit të Policisë, Ymer Kaçara, si dhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Halil Osmani kanë apeluar te qytetarët që ta shtojnë kujdesin ndaj kësaj dukurie e cila mund të merr përmasa shqetësuese dhe me rrezik për jetët e njerëzve dhe ekonomitë familjare.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Arben Halili, ka thënë se vetëm gjatë kësaj pjese të muajit mars janë shënuar hiq më pak se 100 raste të zjarrvënies. Ai madje ka apeluar tek qytetarët që ta shtojnë kujdesin ngase pasojat munden me qenë të paparashikuara.

Në anën tjetër, edhe komandanti i Stacionit të policisë në Ferizaj, majori Ymer Kaçara, ka thënë se policia është vënë në funksion të parandalimit të kësaj dukurie. Duke i komentuar rastet e fundit ka thënë se policia ka identifikuar disa raste të zjarrvënies në Komunën e Ferizajt.

Sipas një komunikate të komunës së Ferizajt, zjarret po shihen si problem edhe për Brigadën e Zjarrfikësve, por edhe për inspektoratin e komunës. Këta të fundit kanë thënë se zjarrvënia është e sanksionuar me ligj dhe me këtë rast aplikohen gjobat.

“Efektet e zjarreve po shihen si të dëmshme edhe për sipërfaqet bujqësore dhe ambientin. Në këtë rrafsh edhe zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë por edhe të Shërbimeve Publike kanë thënë se kjo krahas efekteve të ndotjes, shkakton telashe edhe me biomasen e tokës. Sido që të jetë zjarrvënia e qëllimshme apo e njohur si piromania nuk është karakteristikë për këtë periudhë kohore. Institucioneve nuk u mbetet tjetër që krahas apeleve të ndërmarrin masa në teren me qëllim të ndalimit të këtij fenomeni”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, dje zjarret aktive kanë përfshirë edhe disa fshatra në Suharekë, Mushtishtin, Budakovën dhe Semetishtin. Ndërsa, sot gjatë ditës është arrestuar një person për zjarrvënie. Personi që dyshohet se ka kryer këtë vepër, dyshohet se është përfshirë edhe në disa raste tjera të zjarrvënieve.