Poezi nga Roland Gjoza

 

sa herë bie dëborë dhe unë kthehem në shtëpi më njëmbëdhjetë të natës

ai më fishkëllen nga një pemë valanidhi në woodhaven boulevard

dhe unë i fishkëllej sikur ta kem mik të afërt

sepse e di që ai zog i dëborës ka ardhur nga një vis i fatit

për të më paralajmëruar për trishtimet dhe fatkeqësitë,

lumturitë dhe kotësitë

vjet lëshoi vajin pikëllues dhe u sëmura

ia ngjita numrin ters trembëdhjetë

pastaj lëshoi një notë melankolike nga preludet e shopenit

dhe unë humba një dashuri

dje e pashë te këmbët e mia dhe e përshëndeta me një salut ushtari

gjeneralin trim me një xhufkë të kuqe në kokën qe e tundte

ç’donte aty te këmbët e mia ai zog i çuditshëm me këmbka

të holla si gjilpëra

sikur qepte uniforma për ushtrinë e dëborës

dhe grada për të tjerët

që i ngjante aq shumë një korbi

po pa krrokamë korbi

ndala hapat, natyrisht

dhe ai më vështroi me dy sy si zare loje

do të humbisja apo do të fitoja?

isha një hamlet dëbore

bëra një hap

dhe ai bëri një hap gjilpëre

e ndoqa në dëborën ku hëna kishte lindur një milion hëna

të vogla

dhe shkela

mbi hënat që tringëllonin si perla

xhufka e tij e kuqe lëkundej me një dinjitet prej gjenerali të liruar

ej, zogu im i dëborës, ku po më shpie?

ai përpara, unë pas tij nëpër dëborën si gusha e paputhur

e një femre të re

mbushur me gjerdanë hëne

pastaj u ngrit dhe fluturoi humbi në mjegullën si karboni

në shtëpi vajza donte një infinit të fundit

ose një bmw gri metalizato

32 mijë dollarë në dorë

s’priste! gjer në mëngjes…

duhej të kruaja fundin e tasit tim prej ushtari të luftës

që fillonte në mëngjes me një humbje

sa herë bie dëborë tronditem

se e di që do të takoj mikun tim me xhufkë të kuqe

aq të kuqe dhe flakëritëse sikur

të ketë mbledhur tërë temperaturat e luftës

sa herë bie borë

pres urdhëra

nga një zog i çuditshëm me këmbka të holla si gjilpëra

që qep uniforma për ushtrinë e dëborës

dhe grada për të tjerët

mua më ka lënë ushtar këmbësorie. /21Media