“Deklaratat e Kocijançiq nxisin shpresat ekspansioniste të Serbisë”

Sipas Sherifit zëdhënësja e Komisionit Evropian ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim të plotë me realitetin

Sekretari i Përgjithshëm i NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë të shtunën se deklarata e djeshme e zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, është në kundërshtim të plotë me realitetin dhe si e tillë ajo nxit shpresat ekspansioniste të Serbisë, shtetit që kreu tri gjenocide vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX.

Kocijançiq kishte thënë dje se  “Deklaratat që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në punët e brendshme të vendit fqinj nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon”. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar sot sekretari i përgjithshëm i NISMA për Kosovën Bilall Sherifi.

“Fillimisht mendova se ishte një prononcim kundër autoriteteve të Serbisë, të cilët vazhdimisht kërcënohen se do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të kthyer sovranitetin e vet mbi shtetin e Kosovës. Por, jo! Qëndrimet e zonjës Kocijançiq nuk kishin të bënin fare as me deklaratat e Tomisllav Nikoliqit, e as me ato të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit. Ajo, për habinë e çdo njeriu që njeh realitetin e kësaj pjese të Ballkanit, këtë prononcim e bëri lidhur me deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit”, ka thënë Sherifi.

Ai vlerëson se zëdhënësja e Komisionit Evropian ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim të plotë me realitetin.

“Për çfarë raportesh fqinjësore flet ajo? Së pari, nëse qëndrimi i tillë i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, atëherë zonja Kociançiq nuk e di se Shqipëria, së paku nga 17 shkurti i vitit 2008, nuk është shtet fqinj i Serbisë.

Nëse zonja Kociançiq prononcohet duke pasur në kokë hartat e vjetra politike dhe këtë qëndrim e shpreh në raport me deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, atëherë po ia rikujtoj se Kosova që në qershor të vitit 1999 praktikisht nuk është pjesë e Serbisë, ndërsa nga viti 2008 edhe në aspektin formalo-juridik Kosova është shtet i pavarur, mëvetësinë e të cilës e kanë njohur shumica e vendeve në botë dhe shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, deklarata e Kocijançiq përmban paqartësi të mëdha dhe si e tillë ajo nxit shpresat ekspansioniste të Serbisë, shtetit që kreu tri gjenocide vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX.

“Prandaj, si zëdhënëse e një institucioni aq të rëndësishëm evropian, zonja Kocijançiq duhet të jetë më aktive kundër përzierjes së Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës dhe diskurseve luftënxitëse të Serbisë që nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon”, thekson Sherifi.

 

Back to top button