Zoran Vukotiq u dënua me 10 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky është dënimi i parë që është shqiptuar nga gjykata vendore në Kosovë për raste të tilla. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka theksuar se edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që ka njohr përdhunuesin dhe ka dëshmuar kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
Siç shpjegohet në njoftimin e gjykatës, I akuzuari, Z.V., si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj të viti 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjën e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar në atë mënyrë që me datën 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilatre serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari Z.V., kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre i kishin urdhëruar të ulen të tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet- shkop të drurit fillon ti rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqt i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për ti pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi tek e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marr me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përplasur të dëmtuarën për dysheme, me forcë ia kishte shqyer rrobat dhe kishte kryer aktin seksual – dhunimin.
Me këto veprime i akuzuari në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe pjesëtar të tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Më shumë se 22 vjet kanë kaluar nga lufta e Kosovës, numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. /21Media

Back to top button