Ahmeti uron fillimin e vitit të ri shkollor

Ahmeti uron fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor është zotuar për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja.

“Fokusi jonë do te jetë në ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja, për të cilat tani më janë siguruar investime milionëshe, dhe reformimin e shkollave profesionale, të cilat do të aftësohen për përgatitjen e kuadrove për tregun e punës. Në ketë plan jemi ne fazën e përgatitjes së projekteve për disa lëmenj të punës, si elektroteknika, turizmi dhe hoteleria, profileve të mjekësisë, ndërtimtarisë, agrobiznesit, e të tjera, me organizata të fuqishme gjermane, austriake dhe zvicerane.

Në ketë mënyre ne po bëjmë hapa vendimtare rreth përgatitjes se terrenit për arsimin dual. Po punojmë me të gjitha kapacitetet për sigurimin e mekanizmave për ngritjen e cilësisë në arsim, duke i aftësuar mësimdhënësit për zbatimin e Kornizës Re Kurrikulare dhe në sferën e vlerësimit ku janë shënuar më së shumti ngecje.”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai po ashtu ka thënë se Drejtoria Komunale e Arsimit siguron se do të përfshihen të gjithë nxënësit në arsim të detyruar duke mos i anashkaluar as fëmijet me nevoja të veçanta.

“Sfidë në vete për tërë sistemin arsimor të Kosovës, mbetet plan-programi i mbingarkuar për fëmijët e klasave të ulëta, plan-program ky që pason me çanta shumë të rënda për ta.”, ka shkruar Ahmeti.

Në fund ai ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Urojmë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të suksesshëm shkollor. Në veçanti, urojmë nxënësit e klasave të para, që nga nesër ulen për herë të parë në bankat shkollore.”, ka përfunduar i pari i Prishtinës./21Media