Ministri Lluka do të kërkojë llogari edhe nga KEK-u

Ministri Lluka do të kërkojë llogari edhe nga KEK-u

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka rreth ndërprerjeve të energjisë elektrike që po ndodhin ditëve të fundit ka thënë se i ka kërkuar informata Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Përmes një postimi në Facebook, Lluka bën të ditur se ZRRE ka marrë masa për ndalimin e reduktimeve të energjisë elektrike, ndërkohë ka shkruar se do të kërkojë llogari edhe nga KEK për mos funksionimin e disa blloqeve në formë të pa planifikuar.

“Duke ju përgjigjur qytetarëve dhe bizneseve në vend për ankesat e shumta rreth ndërprerjeve të energjisë elektrike, kam kërkuar informata nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, si institucion i pavarur për rregullimin e tregut energjetik në vend. Nga u.d. Kryetari i Bordit të ZRRE, z. Arsim Janova, u informova se ZRRE ka marrë masa duke urdhëruar KESCO/KEDS që të ndërpres menjëherë të gjitha reduktimet e energjisë elektrike si dhe të mos aplikoj ndërprerjen e planifikuar të energjisë, përveç në raste kur cenohet sigura nacionale apo siguria e sistemit energjetik (shih foton). Nga sonte, ndërprerjet e paplanifikuara të energjisë do të duhej të ndërpriten. Ndërkohë, do të kërkoj llogari edhe nga KEK për mos funksionimin e disa blloqeve në formë të pa planifikuar. P.S. Nëse keni ndërprerje edhe pas këtij njoftimi, ju lutem postoni komente me lokacionin dhe qytetin.”, ka shkruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Ndryshe dje zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka deklaruar se për momentin janë duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike.

“Nga prodhimi vendor po arrihet të prodhohen më pak se 400 MË që nuk arrin të mbulojë as 50% të konsumit. Ne jemi duke importuar të gjithë energjinë që po mund ta gjejmë në treg dhe po e blejmë atë me një çmim shumë të lartë, rreth 100 deri 120 EURO për MË”, bëhet e ditur në përgjigjien e tij. Sipas Buzhalës, kjo është 4 herë më e shtrenjtë se rryma që prodhohet në vend. “Këto çmime të larta kanë ndikim në çmimin e rrymës për konsumatorët”, ka thënë ai për kallxo. Për shkak të këtij problemi, Buzhala ka potencuar se reduktimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë.

Ditëve të fundit, në Kosovë ka pasur ndërprerje me orë të tëra të energjisë elektrike./21Media