ZRRE gjobit KESCO-n me 8 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë euro

Gjobat duhet të paguhen brenda dy vjetëve me nga katër këste

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka gjobitur me 8.4 milionë euro KESCO-në dhe 2 milionë e 700 mijë euro KEDS-in në mbledhjen e mbajtur sot.
Në raportin e ZRRE-së thuhet se KESCO kishte rrezikuar furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Kosovë. Sipas tij, KESCO kishte vepruar në kundërshtim me kushtet e licencës, duke bërë ndërsubvencionim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar.
Ndërsa gjatë monitorimit të KEDS-it, ZRRE-ja ka konstatuar se kjo kompani nuk kishte prokuruar energji elektrike për mbulimin e humbjeve që parashihet me dispozita ligjore. Po ashtu, KEDS-i kishte nominuar sasi më të vogla të energjisë për humbje të rrjetit të shpërndarjes se sa vet parashikimi.
Gjobat duhet të paguhen brenda dy vjetëve me nga katër këste.
“Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar vlerësimin përfundimtar në lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e monitorimit dhe ka miratuar propozimin për masat administrative me gjobë për KESCO ne vlerën prej 8,4mil€ dhe për KEDS ne vlerën prej 2,7mil€”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Gjithashtu në këtë seancë, Bordi, ka miratuar disa propozime tjera për operatorët në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë që kanë të bëjnë me Rregullat për Alokim Eksplicit ditor të kapacitetit në kufijtë e zonave ofertuese të shërbyer nga Zyra e ankandeve të koordinuara të Evropës Juglindore (SEE CAO), si dhe propozim ndryshimet në kodin për qasje në toka dhe ndërtesa.
Në këtë seancë, Bordi miratoi 14 kërkesa për marrje të autorizimit të ndërtimit të paneleve solare për vet-konsum, nga të cilat 9 janë dorëzuar nga persona fizik dhe pjesa tjetër e mbetur nga ndërmarrje të ndryshme me gjithsej 503kW.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji./21Media 

Back to top button