Thotë se nuk i di të gjitha arsyet pse Thaçi nuk merr pjesë

Thotë se nuk i di të gjitha arsyet pse Thaçi nuk merr pjesë

Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së në mandatin teknik, Denis Zvizdiq, shprehu sot keqardhje për mos ardhjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Sarajevë në konferencën e BERZH-it.

“Ne, si Këshill i Ministrave, kemi lëshuar vizat për të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti. Nuk i di të gjitha arsyet pse Thaçi nuk ka ardhur. Do të isha i lumtur të kemi edhe përfaqësuesit e Kosovës”, u tha gazetarëve Zvizdiq pas panelit për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përfundimisht ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur.”, thuhet në njoftimin e presidencës.