Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së bartet në Ministrinë e Punës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka marrë një sërë vendimesh, ku u miratua edhe propozim vendimi për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta nga UÇK-ja në kuadër të Ministrisë për Punë, Familja dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se bartja e zyrës synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim të drejtpërdrejtë.

“Duke vlerësuar lartë luftën për liri dhe pavarësi të popullit, për herë të parë vlerat e luftës çlirimtare i kemi vendosur në emërtimin e një ministrie të cilës sot do ia kalojmë një zyrë të rëndësishme. Bartja e zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në kuadër të ministrisë për punë, familje dhe vlera të luftës çlirimtare synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim më të drejtpërdrejtë të politikave të dala nga lufta”, tha Kurti.

Në këtë mbledhje u miratua edhe shqyrtimi i propozim vendimit për themelimin dhe funksionimin e sistemit për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes instrumentit për reforma dhe rritje ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Kurti emëroi koordinator kombëtarë për instrumentin për reforma dhe rritje ekonomike, këshilltarin e tij politik Jeton Zulfaj, raporton kp.

“Nëpërmjet këtij vendimi vendosim sistemin kombëtar për zbatimin së mbështetjes së BE përmes instrumentit për reforma. Jeton Zulfaj këshilltar politik i kryeministrit, përmes këtij vendimi, emërohet koordinator kombëtarë për instrumentin për reforma dhe rritje ekonomike”, tha Kurti.

Back to top button