Policia austriake ka informuar sonte se disa njerëz janë plagosur në Vjenë ku sipas informacioneve të para një sulmues ka qëlluar në drejtim të policit që ishte duke ruajtur një sinagogë, i cili është në gjendje kritike për jetën.

Agjencia austriake e lajmeve APA ka cituar Ministrinë e Brendshme të vendit të ketë deklaruar se një sulmues është vrarë dhe një tjetër mund të jetë në arrati.

Karl Nehammer, zyrtar i lartë të sigurisë së vendit, ka deklaruar se disa njerëz janë plagosur në një sulm në kryeqytetin Vjenë dhe mund të ketë edhe përfundime me fatalitet.

Ai ka thënë se kishte disa sulmues të përfshirë dhe se një sulmues mund të jetë vrarë dhe një tjetër ndodhet në arrati.

Oskar Deutsch, kreu i komunitetit hebre në Vjenë, ka deklaruar se të shtënat ndodhën në rrugën ku ndodhet sinagoga kryesore e qytetit, por që nuk ishte e qartë nëse shtëpia e adhurimit ishte shënjestruar. Sinagoga ishte mbyllur tashmë në kohën e të shtënave, ka shkruar Deutsch në Twitter.

Ndërsa, Rabini Schlomo Hofmeister ka potencuar për Associated Press se ai ka parë të paktën një person duke qëlluar me armë zjarri mbi njerëzit të ulur jashtë hekurave në rrugë poshtë dritares së tij.

“Ata po qëllonin të paktën 100 fishekë vetëm jashtë ndërtesës sonë”, ka thënë Hofmeister.

Policia e Vjenës ka informuar se operacioni në qendër të qytetit është duke vazhduar dhe u ka bërë thirrje njerëzve të shmangin të gjitha hapësirat e hapura dhe transportin publik.

Policia ka deklaruar se tramvajet dhe autobusët nuk po ndalonin në qendër të qytetit. Ata gjithashtu u kanë kërkuar përdoruesve të mediave sociale të mos postojnë video të operacionit të vazhdueshëm policor, në mënyrë që të mos rrezikojnë oficerët.

Ndryshe, ende nuk janë përcaktuar rrethanat e sakta të incidentit që ka tronditur Austrinë.