Banka Botërore mbi 60 milionë euro për projektet në bujqësi

Zyrtarët e Bankës Botërore shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për sektorin e bujqësisë

Banka Botërore do të vazhdojë të mbështes projektet për bujqësi dhe zhvillim në Kosovë me një fond prej mbi 60 milionë euro.

Kjo mbështetje është bërë e ditur gjatë takimit që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo e pati me përfaqësuesit e Grupit të Bankës Botërore (BB), me të cilët ka diskutuar për Projektin e ardhshëm për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Gjatë këtij takimi, ministri Rikalo dhe zyrtarët e BB-së kanë diskutuar për fazat e përgatitjes së projektit të ri, të cilat tashmë kanë filluar dhe me këtë rast ata kanë treguar se mbështetja në kuadër të këtij projekti do të bazohet në tri shtylla kryesore: “Ujitjen e tokës bujqësore, ndotjen e tokës bujqësore, si dhe investimet në bujqësinë mjedisore”, bëhet  e ditur në komunikatën për media.

Ndër të tjera, në këtë takim u theksua se ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ministri Rikalo ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë në vazhdimësi për sektorin e bujqësisë, duke e vlerësuar se kjo mbështetje ka sjellë rezultate mjaft konkrete dhe të rëndësishme.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Bankës Botërore shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për sektorin e bujqësisë, duke i vlerësuar të arriturat në këtë sektor që po ofron një nga mundësitë më të mira për punësim dhe zhvillim ekonomik.

Rikalo ka njoftuar përfaqësuesit e Grupit të Bankës Botërore (BB) me programin për bujqësi dhe zhvillim ural për vitin  2019, si dhe projektet tjera zhvillimore të ministrisë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend./21Media 

Back to top button