Dëshmon polici që ka pranuar se ishte pjesë e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”

Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës

Në gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Në këtë shqyrtim gjyqësor dëshmoi ish polici, Besnik Hasani i dënuar me burg për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, i cili ndodhi pak ditë pas vrasjes së Triumf Rizës.

Ai tha se Triumf Riza përveç me Sekiraqën dhe grupin e tij nuk ka pasur probleme me askënd tjetër. Këto probleme sipas tij kishin nisur vite më parë kur Trumf Riza ishte polic patrullues dhe e kishte ndalur Sekiraqën në rrugë.

Sipas dëshmitarit Hasani, nga ajo ditë Sekiraqa e kishte përcjell Triumf Rizën pasi ishte nervozuar me ndalesën që Riza ia kishte bërë atij.

Hasani tutje tha se nuk e njeh Arben Berishën i cili ka pranuar fajësinë për vrasjen e Trium Rizës dhe se i ndjeri Triumf Riza kurrë nuk e kishte përmendur atë.

Pala mbrojtëse e Enever Sekiraqës refuzoi të parashtrojë pyetje dëshmitarit Hasani pasi sipas tyre, ai nuk ka kredibilitet dhe se nuk presin përgjigje objektive nga ana e tij.

Në këtë seancë gjyqësore, avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi kërkoi nga trupi gjykues që Sekiraqës t’i ndryshohet masa e Sigurisë, që nga paraburgimi të kalojë në arrest shtëpiak. Prokuria, ndërkaq, kërkoi nga gjykata që kjo kërkesë të hedhet poshtë. Trupi gjykues në anën tjetër e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit./21Media

Back to top button