Daut Haradinaj ka thënë se BE-ja duhet t’i shtojë kërkesat mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën

Daut Haradinaj ka thënë se BE-ja duhet t’i shtojë kërkesat mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi të mërkurën tryezën e diskutimit “Pezullimi i dialogut: Impakti në procesin e integrimit evropian të Kosovës”, që kishte për qëllim diskutimin rreth zhvillimeve të fundit në procesin e dialogut, obligimet e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që rrjedhin nga MSA, si dhe impaktin potencial që këto zhvillime mund të kenë në procesin e integrimit të Kosovës drejt BE-së.

Pjesë e panelit diskutues ishin ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës Elmi Reçica (PDK), Njomza Emini (LDK), Glauk Konjufca (LVV), Daut Haradinaj (AAK) dhe Nenad Rashiq (PDS).

Në hyrje të këtij debati, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se rezoluta e kaluar në Kuvendin e Kosovës që kërkon nga qeveria pezullimin e dialogut mund të prodhojë efekte nga më të ndryshmet, të cilat prekin si procesin e integrimit evropian të Kosovës si të ardhmen e vetë procesit. Ajo shtoi se transparenca dhe gjithëpërfshirja mbeten elemente kyçe për këtë proces.

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se Kosova e ka obligim brenda MSA që të jetë faktor konstruktiv në procesin e dialogut ashtu siç e ka edhe Serbia kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE.

Sipas saj, dialogu është proces dinamik që në vazhdimësi do të plotësohet dhe do ta ushqejë procesin drejt integrimit evropian të Kosovës. Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se pezullimi i dialogut është i drejtë pasi që Kosova e ka për obligim që t’i bëjë me dije Serbisë se nuk mund të luajë me qytetarët e Kosovës. Sipas tij, BE-ja duhet t’i shtojë kërkesat mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën.

Ndonëse ka theksuar se AAK-ja e ka përkrahur zhvillimin e dialogut ai ka potencuar se ky dialog duhet të zhvillohet mbi bazat e reciprocitetit me Serbinë.

Ndërsa, deputeti i PDS-së, Nenad Rashiq, tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër. Sipas tij, në këtë proces mund të jepen kritika dhe të shikohet se çfarë mund të bëhet, por ndërprerja e dialogut ka thënë se vetëm sa i komplikon edhe më shumë raportet dhe se nuk arrihet asgjë.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se ky dialog ka nisur keq për shkak se pala kosovare ka qenë tërësisht e papërgatitur. Ai ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës, në mars të vitit 2011 kur ka filluar ky dialog, nuk ka pasur asnjë platformë për këtë dialog ashtu siç kishte Serbia. Njëkohësisht ka thënë se dialogu është iniciuar njëanshëm.

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Njomza Emini, ka pohuar se Kosova ka treguar gjithherë përgjegjësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog për dallim nga Serbia e cila nuk po i zbaton ato.

Ajo ka thënë se dialogu nuk është ndërprerë, por është kushtëzuar deri në lirimin e ish kryeministrit Haradinaj dhe anulimin e fletarresteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se dialogu e ka dëshmuar se është i domosdoshëm, mirëpo sipas tij, riformatimi në raport me Serbinë është po ashtu i domosdoshëm.

Sa i përket serbëve të Kosovës, ai ka vlerësuar se në vazhdimësi duhet të bisedohet me ta dhe vetëm me përpjekjen e Kosovës dhe tërheqjen e tyre nga vendimmarrja jashtë Kosovës marrëdhëniet do të përmirësohen.

Ndryshe, kjo tryezë organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës, thuhet në komunikatën e KDI-së.