Doganierët të pakënaqur me Draft Ligjin për Paga, kërkojnë rritje të koeficientit

Doganierët paralajmërojnë që nëse nuk merren parasysh kërkesat do të reagojnë me forma të tjera

Sindikalistët e Doganës janë shprehur të pakënaqur në lidhje me Draft Ligjin Për Paga, i cili sipas tyre nuk po siguron një rregullim homogjen të çështjes së pagave në tërë sektorin publik.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të dërguar për media nga Sindikata e Pavarur e Doganave të Kosovës. Sipas sindikalistëve propozimet e kësaj sindikate nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë përfshirë në Draft Ligjin për Paga.

“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës konsideron se janë shterrur të gjitha format tjera për realizmin e këtyre kërkesave, edhe përkundër njoftimeve paraprake situata mbetet e njëjtë, tash e tutje SPDK do të kaloj në forma tjera të reagimit sindikal të paralajmëruara edhe medialisht ditë më parë.

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës urgjentisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Komisionet Parlamentare dhe Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të reflektojnë dhe ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e koeficientit të pagesës në Draft Ligjin e Pagave për punëtorët e Doganës, në të kundërtën veprimet sindikale të ndërmarra konformë dipozitave ligjore në vend, do të intensifikohen ditëve në vijim.” thuhet në komunikatën e Sindikatës së Pavarur të Doganave./21Media

Back to top button