Mbi 280 milionë njerëz në botë flasin gjuhën frëngjishte

Mbi 280 milionë njerëz në botë flasin gjuhën frëngjishte

Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë nga vendet frankofone, kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të përfundimit të Javëve të Frankofonisë në Kosovë.

Një konferencë ndërkombëtare për mësimin e gjuhës dhe letërsisë frënge ishte aktiviteti i radhës që hapi dyert sot në Prishtinë për profesorë, akademikë, ekspertë dhe studentë e dashamirës të gjuhës frënge, ngjarje kjo që vjen në korniza të Javëve të Frankofonisë si dhe anëtarësimit të Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare të Frankofonisë (AUF), të  cilën ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj e ka vlerësuar ngjarje të  rëndësishme.

“Anëtarësimi në AUF shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e UP-së dhe arsimit kosovar. Një tjetër moment i rëndësishëm i ka paraprirë kësaj e ky ishte anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë në 2014-në. Të dyja këto platforma duhen përdorur sepse ofrojnë bashkëpunim dhe komunikim me të gjitha dimensionet e jetës”, tha Hoxhaj.

Në një reflektim për shpejtësinë dhe dinamikën e kohës në të cilën jetojmë, Hoxhaj ka theksuar se përdorimi i frëngjishtes u mundëson të rinjve dhe profesionistëve kosovarë të avancojnë me ritmin e 280 milionë njerëzve në botë të cilët e flasin këtë gjuhë.

“Sfidë tjetër që vjen me zhvillimin teknologjik është përdorimi eksesiv i internetit dhe rrjeteve sociale çka çon në humbjen e përqendrimit. Mirëpo është po kjo teknologji që, duke e përdorur në mënyrë të mençur në teknikat e mësimdhënies, mund ta rikthejë fokusin te të mësuarit. Puna juaj është sa e vështirë aq edhe e bukur sepse përcjell emocion, emancipon dhe edukon”, shtoi Hoxhaj.

Në kuadër të kësaj jave ministri ka takuar edhe frankofonët e rinj të Kosovës me ç’rast ka ndarë çmimin Frankofonia e Kosovës 2017, për nxënësin Melos Kuqi, pjesëmarrës në kuizin që lidhej me krijimin e organizatës së Frankofonisë.

Hoxhaj e ka falënderuar ambasadorin francez Dieder Chabert, i cili e ka shndërruar Javën e Frankofonisë në një ngjarje të rëndësishme në Kosovë.

“Dua të falënderoj ambasadorin e Francës në Kosovë i cili e ka shndërruar Javët e Frankofonisë në një ngjarje të madhe. Franca dhe vendet frankofone janë miq të Kosovës dhe ne me mësimin e gjuhës frënge e thellojmë dhe e forcojmë këtë miqësi, kështu që ju them të gjithëve të mësoni gjuhën frënge”, përfundoi Hoxhaj./21Media