Juncker për Brexit-in: Ofrojmë sqarime, por jo marrëveshje tjetër

Sipas Jucker nuk ka hapësirë për rinegocim

Duke iu adresuar Parlamentit Evropian në Strasburg, presidenti i Bashkimit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se ishte i befasuar nga paaftësia e kryeministres britanike Theresa May për të kaluar në parlament marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian.

Duke bërë të ditur se do të takohet me kryeministren May të martën mbrëma në Bruksel, para samitit që do të zgjatë dy ditë, Juncker deklaroi se BE-ja dhe Britania kanë arritur marrëveshjen më të mirë, dhe të vetmen të mundshme, transmeton rtv21.tv.

“Nuk ka hapësirë për rinegocim, por sigurisht ka hapësirë për të dhënë sqarime dhe interpretime të mëtejshme pa hapur marrëveshjen e largimit. Kjo nuk do të ndodhë. Secili duhet ta dijë se marrëveshja e largimit nuk do të rihapet”, u shpreh Juncker.

Kryeministrja May pas shtyrjes së votimit të marrëveshjes në parlament, është në një udhëtim nëpër kryeqytetet evropiane për të kërkuar ndryshime të minutës së fundit në marrëveshjen tashmë të arritur të Brexit-it për ta votuar atë në Parlament. Ajo është takuar me kryeministrin holandez Mark Rutte, si dhe me kancelaren gjermane Angela Merkel ku ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e Brexit-it. Ajo pritet të takohet edhe me presidentin e këshillit evropian Dnald Tusk gjatë mbrëmjes së sotme.

Dje, Gjykata Evropiane për Drejtësi ka dhënë verdiktin e saj se Britania e Madhe është e lirë që në mënyrë të njëanshme të ndalojë procesin e Brexit-it pa miratimin e Bashkimit Evropian./21Media

Back to top button