Kina ka dënuar përdorimin e arëve kimike në Siri

Kina ka dënuar përdorimin e arëve kimike në Siri

Autoritetet kineze të premten kanë bërë thirrje që të shmanget përkeqësimi i mëtejmë i situatës në Siri, pas sulmit të SHBA-ve në një bazë ushtarake siriane, njëkohësisht duke dënuar përdorimin e armëve kimike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Çunjing tha se Kina është “thellësisht e shokuar” me sulmin në Kan Shejkun të Sirisë dhe dënon “thellësisht dhe kundërshton përdorimin e armëve kimike të cilitdo vend apo organizate dhe pavarësisht se cilat janë rrethanat apo qëllimi”.

Ajo tha se Kina kërkon “hetime të pavarura dhe të plota të incidentit dhe fakte të pathyeshme”.

Çunjing tha se Pekini zyrtar gjithmonë kundërshton përdorimin e dhunës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe angazhohet për dialog dhe zgjidhje paqësore të konfliktit, dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë dhe t’i shmangen eskalimit të mëtejmë.

E pyetur për legjitimitetin e presidentit sirian Bashar al Asad, Hua ka thënë se ai është zgjedhur nga populli sirian dhe se populli do të vendosë për të ardhmen e tij.

Reaksionet e Kinës pasojnë njëkohësisht me lajmin se presidenti amerikan Donald Trump në takim me homologun e tij kinez Si Jinping në Florida pranoi që të vizitojë Kinën gjatë këtij viti.

Trump në mëngjes urdhëroi goditjen kundër forcave të qeverisë siriane, të cilën e akuzoi se ka kryer sulm të tmerrshëm me armë kimike kundër civilëve të pafajshëm në fshatin Kan Shejkun.