Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, priti në takim përfaqësuesit e qendrave tregtare në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, priti në takim përfaqësuesit e qendrave tregtare në Kosovë

Gjatë takimit Limaj tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur për të mbrojtur prodhimet vendore, duke kërkuar nga ta që t’iu japin hapësirën e duhur.

Duke vlerësuar rëndësinë që kanë qendrat tregtare, zëvendëskryeministri Limaj tha se ata janë kontribuues të mëdhenj të buxhetit, duke krijuar vende pune.

“Qeveria do t’i eliminojë pengesat me të cilat përballen ata, me kushtin që të funksionojnë sipas rregullave dhe ligjeve të miratuara në Kosovë”, tha Limaj, thuhet në njoftimin e dërguar.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se Qeveria e Kosovës është e fokusuar për t’i dhënë mbështetje prodhimit vendor.

“Interesi ynë dhe i juaji është rregullimi i tregut të brendshëm. Si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur për të stimuluar prodhuesit vendor. Kërkojmë nga ju t’i jepni hapësirë dhe mundësi prodhimeve vendore. Ta bëjmë edhe ne në Kosovë, siç e kanë vendet tjera promovimin dhe mbështetjen për prodhimet vendore”, theksoi zëvendëskryeministri Limaj, duke kërkuar nga ta që të funksionojë rregulli i njëjtë për hapësirat ku do të vendoseshin produktet vendore.

Ndërkaq, përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të promovuar prodhimet vendore, duke kërkuar nga Qeveria që t’ju ndihmojë në heqjen e disa barrierave me të cilat ata përballen, si asgjësimi i mallit, siguria fizike e objekteve dhe pagesa për energji elektrike.