Punëtorët qe shtatë muaj janë duke kërkuar të drejtat e tyre të cilat i quajnë legjitime

Punëtorët qe shtatë muaj janë duke kërkuar të drejtat e tyre të cilat i quajnë legjitime

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, afërsisht qe shtatë muaj janë duke kërkuar të drejtat e tyre të cilat i quajnë legjitime, por menaxhmenti thotë se ato janë kërkesa jolegjitime.

Pesë kërkesat e tyre kyçe të punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, Bashkim Latifi ka thënë për kp, se menaxhmenti i Aeroportit nuk po dëshiron që të diskutojë me punëtorët në mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Ai tha se nëse nuk reflekton udhëheqësi e tyre karshi pesë kërkesave të punëtorëve do ketë greva. “Menaxhmenti i Aeroportit po na neglizhon, është duke na injoruar, nuk po do kurrfarë ulje në tryezë të bisedimeve me ne…Më datën 19 nëse nuk reflektojnë, nëse nuk ulen dhe nuk e shohin të arsyeshme, nëse janë njerëz duhet ta shohin të arsyeshme dhe të vijnë dhe të ulen sepse gjithmonë po flas për 717 punëtorët e Aeroportit, prej tyre 573 punëtorë janë anëtarë të sindikatës dhe kërkesa e tyre është nëse nuk reflektojnë me 19 gusht, që i bie e hënë do ketë një grevë një orëshe, mirëpo nëse prapë nuk reflektojnë edhe 24 e fundit, do kemi të martën me 20 një grevë dy orëshe, dhe nëse prapë nuk reflektohet, ditën e 21 gushtit që i bie ditë e mërkurë, do ketë grevë një ditore”, theksoi Latifi.

Latifi ka theksuar se greva e paralajmëruar nuk do shkaktojnë telashe në mbarëvajtjen e punës.

Në anën tjetër menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës” Adem Jashari”, kërkesat e punëtorëve të tyre i ka konsideruar si joligjore. Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara i ka siguruar të gjithë udhëtarët se të gjitha fluturimet do të bëhen me kohë gjatë ditëve kur punëtorët kanë paralajmëruar grevë.“Sa i përket kërkesave që Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës, ne i kemi njoftuar opinion publik se kërkesat e tyre janë joligjore, meqenëse shumica e kërkesave bazohen në kontratën kolektive dhe jo në kontratën punëdhënës, punëmarrës që është valide. Kontrata kolektive ka skaduar, po ashtu edhe disa nga kërkesat e tyre janë joligjore, meqenëse edhe sipas ligjit të punës nuk mund të realizohen…Të gjitha fluturimet do të realizohen ashtu siç janë të parapara në kohë dhe në orar të caktuar, prandaj lusim të gjithë qytetarët që të paraqiten me kohë për fluturimet e tyre, meqenëse nuk do të ketë ndonjë pengesë në realizimin e tyre”, thotë Gara.

E lidhur me këtë qëndrim të menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kryetari i Sindikatës së Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi thotë se ata nuk janë kompetent ta komentojnë ligjin dhe se presin reflektim nga menaxhmenti.“Iu themi atyre se nuk janë kompetent të komentojnë ligjin, por ligjin e thotë tjetër kush dhe mendimi i tyre le të jetë mendim i tyre, mirëpo punëtorët janë këmbëngulës shumë të drejta dhe shumë ligjore, mbetemi që këta të reflektojnë për këto kërkesa dhe të ulemi”, thotë ai.

Kujtojmë që më datën 8 gusht të këtij viti punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mbajtur grevë një orëshe me qëllim të merren parasysh kërkesat e tyre.