Punëtorët e Shërbimit Korrektues protestojnë para Qeverisë

Të pakënaqur me Ligjin për Pagat

Të pakënaqur me koeficientin e pagave janë edhe sindikalistët e Shërbimit Korrektues. Si shkak i mos përmbushjes së premtimeve, ata sot do të organizojnë protesta para Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës do të kërkojnë që koeficienti i pagave të tyre të lëvizë nga 1.85 në 2.2, në mënyrë që të jenë të barabartë me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit.

Kryetari i Sindikatës, Zenun Sadikaj ka thënë se duan që t’iu plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, ndërkohë që ka kërkuar nga presidenti të mos e dekretojë Ligjin për Pagat.

“President mos e nënshkruaj Ligjin për Paga. Ky Ligj është diskriminues për ne dhe për një numër të madh të punëtorëve në sektorin publik. Nëse askush nuk e dërgon këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese, ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë Sadikaj.

Të hënën sindikalistët kishin mbajtur edhe një protestë para Qendrës Korrektuese të Dubravës, asaj të Lipjanit si dhe të Sigurisë së Lartë. E kësaj radhe, Sadikaj ka njoftuar se do të mbahet protestë para Qeverisë së Kosovës, duke marshuar drejt sheshit” Zahir Pajaziti”.

Back to top button