Rama: Ata që kërkojnë votën sot janë të djegur

Sipas  Ramës më 25 qershor populli mund të marrë një vendim historik

Nga Pogradeci, kryeministri Rama ka ftuar qytetarët që më 25 qershor të mos votojnë si socialistë apo demokratë, por si qytetarë që kërkojnë ngritjen e shtetit.

“Në rrugën tonë për të bërë shtet ne kemi nevojë të çlirojmë administratën nga partitë pengmarrëse, nga lloj lloj dallkaukësh të vendosur nga partitë pengmarrëse.Kemi nevojë të vendosim në çdo zyrë shqiptarët që e meritojnë dhe duke mos lejuar më që zyrat e shtetit të jenë pronë e partive në pushtet”, ka thënë Rama.

Sipas tij, më 25 qershor populli mund të marrë një vendim historik për t’u thënë “stop” partive që sillen me njerëzit sikur e kanë pushtetin dhuratë nga perëndia.

“Nuk do të ndodhë më kështu. Më 25 qershor ta ndryshojmë këtë”, ka thënë Rama, duke shtuar se këtë mund ta bëjë vetëm PS.Ne jemi mishërimi i interesave të Shqipërisë, këtij vendi e këtij populli. Më 25 qershor s’ka rëndësi në jemi të majtë apo të djathtë, por të bëjmë zgjedhjen e duhur që të vazhdojmë punët për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, ka shtuar Rama.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se, në këto 44 muaj kabineti i tij bëri reforma që askush nuk kishte bërë më parë. Ai ka premtuar se në 4 vitet e ardhshme në fokus do të jenë reformat për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit.

“Ne ndërmorrëm reformën në drejtësi, të cilën askush nuk e mendonte. Dhe ashtu siç luftuam për vettingun, ashtu do të luftojmë në 4 vitet e ardhshme për mirëqënien dhe punësimin”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, partitë e tjera që kërkojnë “timonin” e qeverisjes nuk e duan atë për të qeverisur vendin, por vetëm për ta pasur si pushtet në duart e tyre.

“Ata që kërkojnë votën sot janë të djegur e të përvëluar. Nuk kanë çfarë të ofrojnë. Ndërsa ne do t’i japim një rritje të fuqishme dëshirës për të ndërtuar këtu jetën”, ka premtuar mes të tjerash Rama.

Back to top button