Rritet deficiti tregtar për gusht, bie eksporti me vendet e CEFTA-s

Kjo është bërë e ditur në raportin e publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.5% në muajin gusht 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 276,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 264,6 milionë në vitin 2017, ndërkohë që eksporti mbulon importin me 9.9 për qind.

Eksporti i mallrave në gusht 2018 kishte vlerën 30,4 milionë euro, ndërsa importi 307 milionë euro, që është një rënie prej -6.5% për eksport dhe rritje prej 3.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 24.9% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 17.4%  produktet minerale, 15% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import 17.1% e përbëjnë produktet minerale, 14.3% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.6%  makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10,5 milionë euro, ose rreth 34.5%, me një rritje prej 31.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave janë Gjermania me 7.2%, Sllovenia 5.5%, Britania e Madhe 4.7%, Holanda 3.6% etj.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 128,2 milionë euro ose 41.8% me një rritje prej 5%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 11.1%, Italia 6.5%, Rumania 4.1%, Greqia 3.3%, Polonia 3.2 etj.

Në gusht, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15,4 milionë euro ose 50.6%, me një rënie prej -6.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria me 19.8%, Serbia 11.5%, Maqedonia 11.1% dhe Mali i Zi 6.2%.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në këtë periudhë arritën në 90,6 milionë euro, ose 29.5%, me një rritje prej 4.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 14%, Shqipëria 7.2%, Maqedonia 5.5% dhe Bosnja e Hercegovina 2.4%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 4,5 milionë euro, ose 14.9%, ndërsa partnerë kryesorë është Zvicra me 9.6 për qind.  Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 88 milionë ose 28.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import janë Turqia me 9% dhe Kina 8.8 për qind.

Back to top button