SHBA: Koha e të paprekshmëve përfundoi

Betimi i prokurorëve të SPAK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgëzuar tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes, te presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në një deklaratë për mediat, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë shprehet se nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë ish-zyrtarë apo zyrtarë si dhe bosë të krimit – individë këta që në të shkuarën janë konsideruar si të paprekshëm.

Ndërsa Shqipëria fillon një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara theksojnë se do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.

Më herët betimi i 8 prokurorëve të SPAK u përshëndet edhe nga BE përmes ambasadorit Luigi Soreca.

BE mirëpret betimin e 8 prokurorëve të SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër etapë e rëndësishme për zbatimin e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Soreca./oranews

Back to top button