Sllovenia mbështet Kosovën në implementimin e reformës së TVSH-së

Erman bëri të ditur se Kosova dhe Sllovenia nuk kanë ndonjë temë të hapur në fushën e financave

Ministri i Financave, Bedri Hamza gjatë vizitës zyrtare në Slloveni është pritur në takim nga ministrja e Financave e Sllovenisë, Mateja Vraničar Erman, ku diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për bashkëpunimin ndërministror,

Hamza e njoftoi homologen e tij sllovene për progresin dhe të arriturat në të gjitha fushat në Kosovë, në veçanti fushën e financave si dhe për  reformat fiskale që janë ndërmarrë kohëve të fundit nga Ministria e Financave për të mbështetur sektorin privat, si bartës  i zhvillimit ekonomik në vend, bën të ditur kumtesa nga MF.

Ministri Hamza kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Financave të Sllovenisë në përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe administrative, teknologjisë informative, për fillimin e reformës më të madhe në Kosovë deri më tani, e që është bartja e mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit.

Ndërsa, Ministrja e Financave të Sllovenisë, Mateja Vraničar Erman, duke falënderuar ministrin për vizitën vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe bëri të ditur se Kosova dhe Sllovenia nuk kanë ndonjë temë të hapur në fushën e financave.

Ajo gjithashtu shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Financave të Sllovenisë për të mbështetur Kosovën, në implementimin sa më të mirë të reformës së TVSH-së, të cilën reformë Sllovenia e ka filluar së implementuari nga qershori i vitit 2016.

Sipas saj, kjo reformë shkon në të mirë të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. “Andaj, duke e ditur rëndësinë e kësaj reforme, Ministria e Financave e Sllovenisë do të ju mbështes”, bëri të ditur Erman./21Media

Back to top button