Stoltenberg pas takimit me Vuçiq: KFOR-i i gatshëm të intervenojë në rast të rrezikimit të stabilitetit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në rast të rrezikimit të stabilitetit të Kosovës,  KFOR-i është i gatshëm të intervenojë. Ai këtë deklaratë e dha në një konferencën për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin u takua pasdite e sotme nga ora 15:00.
“Vlerësoj rastin se pata për të diskutuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Kërkohet përgjegjësi nga të dyja palët për uljen e tensioneve. Kërkoj nga të dyja palët që të ulin tensionet. Në rast se do të rrezikohej stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të veprojë”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenberg tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.
“Dialogu konstruktiv është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve. Duhet të gjendet zgjidhje që i respekton të gjitha komunitetet”, ka shtuar shefi i NATO-s.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën. Sekretari theksoi se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Stoltenberg tutje tha se KFOR-i është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës në Kosovë. “Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”, tha ai.
Stoltenberg bëri të ditur se në takim me Vuçiq kanë diskutuar edhe për luftën në Ukrainë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se për ta është i rëndësishëm edhe roli i KFOR-it, të cilin u shpreh se e respektojnë, po ashtu edhe roli i NATO-s.
Para se të nisej për në Bruksel, Vuçiq tha se nuk e dinte se çfarë mund të priste nga biseda me zyrtarin e lartë të Aleancës, por gjithashtu theksoi se takimi ishte i rëndësishëm për shkak të rolit që NATO dhe KFOR-i kanë në Kosovë./21Media

Back to top button