Thaçi edhe sot ka kohë ta bëjë dekretimin e ligjit për paga

Behramaj ka thënë se ende nuk është marrë vendim për dekretimin e ligjit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka dekretuar ligjin për paga. Këtë për Radio Kosovën e ka konfirmuar këshilltari nga kabineti i tij.

Këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj për Radio Kosovën është përgjigjur shkurt se nuk është marrë ende vendimi për dekretim.

Të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, presidenti mund ta shfrytëzojë vetëm një herë. Thaçi ka kohë vetëm edhe sot që ta bëjë dekretimin e ligjit për paga.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, afati ligjor për dekretimin e një ligji nga ana e presidentit të Kosovës, është 8 ditë, e cila skadon sot.

Thaçi më 12 shkurt ka pranuar nga Kuvendi edhe Ligjin për Pagat. 

Ndërkohë, shumë sindikata të cilat janë pjesë e ligjit të pagave kanë kërkuar nga presidenti që ky ligj të mos dekretohet. Sa i përket pakënaqësive kjo është vërejtur me protestat të shumta dhe greva. Këto kanë vazhduar edhe ditëve të fundit, kur Sindikalistët e Shërbimit Korrektues mbajtën protestë. Sindikalistët kanë kërkuar që koeficienti i tyre të rritet nga 1.85 në 2.2 në mënyrë që të jenë të barabartë me policinë dhe zjarrfikësit. Pakënaqësi për Ligjin e Pagave kanë edhe Sindikata e Re e KEK-ut dhe Sindikata e Punëtorëve të Navigacionit Ajror. Drejtuesit e këtyre sindikatave kanë paralajmëruar se pritet të radikalizohen nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ligji për pagat ka kaluar në Kuvend më 2 shkurt, me 63 vota për dhe 1 abstenim. Nëse presidenti Thaçi nuk e dekreton, atëherë ligji i kthehet Kuvendit për rishqyrtim. Të drejtën e kthimit të një ligji, presidenti mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.

Back to top button