Në Kosovë vazhdon trendi shqetësues i kontrabandës me marihuanë

Në Kosovë vazhdon trendi shqetësues i kontrabandës me marihuanë

Po vazhdon edhe sivjet trendi shqetësues i kontrabandës me substanca narkotike. Vetëm në muajin mars, policia e Kosovës ka konfiskuar afro 110 kg drogë të llojit marihuanë, përkatësisht heroinë. Rritje më të lartë po shënon vazhdimisht marihuana, që konsiderohet droga më e popullarizuar si jashtë ashtu edhe në vendin tonë.

Në vitin 2016 sasia e marihuanës kontrabandë në krahasim me një vit më parë, ishte rritur për afro 250%, ka thënë për Radio Kosovën, Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në policinë e Kosovës.

Tentimet e kontrabandës zakonisht janë pikat kufitare të Kosovës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, tha më tutje Krasniqi. “Tentimet për kontrabandë në drejtim të Kosovës janë nga Shqipëria, kurse për të nxjerrë drogën nga Kosova jashtë, janë në drejtim të Dheut të Bardhë, përkatësisht Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Sasia e heroinës kontrabandë kishte shënuar ulje drastike vitin e kaluar, kur ishin zënë vetëm 85 gram, në krahasim me afro 10 kg të konfiskuara në vitin 2015. Mirëpo kjo sasi e heroinës sivjet si duket do të shënojë rritje drastike, sepse vetëm në ditët e fundit të muajit mars janë zënë afro 30 kg. Në muajin mars janë zënë edhe 80 kg marihuanë. Megjithatë, policia e Kosovës ende nuk ka dal me të dhëna zyrtare sa i përket sasisë së kontrabandës në tremujorin e parë të këtij viti.