Veseli: Më 14 dhjetor Kosova bëhet me Ushtri

Sipas Veselit, më 14 dhjetor 2018 do ta kemi zyrtarisht Ushtrinë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka vendosur që seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e Ushtrisë të mbahet më 14 dhjetor.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Kadri Veseli ka propozuar që seanca që transformon Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të mbahet më 14 dhjetor.

“Më 14 dhjetor 2018 do ta kemi zyrtarisht Ushtrinë e Kosovës. Kjo është data kur në Kuvendin e Kosovës do t’i votojmë Projektligjet që e transformojnë FSK-në në Ushtri. Na priftë e mbara dhe urime të gjithëve”, ka shkruar Kreu i Kuvendit në faqen e tij në Facebook.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar projektligjet për FSK-në, gjegjësisht raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes./21Media

Back to top button