Zgjedhet kryetarja e degës së AKR-së në Prizren

Mazreku kryetare e AKR-së

Në prani të qindra simpatizantëve dhe përkrahësve, Aleanca Kosova e Re (AKR) ka mbajtur sot Kuvendin e degës së partisë në Prizren, ku me shumicë votash, kryetare të degës zgjodhi Valbona Mazrekun.

Siç njofton AKR, fillimisht Kuvendi ka nisur punimet me paraqitjen e dy kandidaturave për të parën e degës së partisë në Prizren. Kandidatet në garë ishin Valbona Mazreku dhe Violeta Thaçi, të cilat me nga një fjalë rasti kërkuan besimin e delegatëve të pranishëm. Pas procesit të rregullt zgjedhor, me shumicë votash delegatët zgjodhën Valbona Mazrekun Kryetare të degës së AKR-së në Prizren.

Punimet e Kuvendit i përshëndeti sekretari i përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli, i cili duke i falënderuar qytetarët e Prizrenit për përkrahje, tha se data 11 qershor do të jetë fundi i të keqes që e ka kapluar Kosovën.

“Populli ynë meriton mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme, e kjo do të bëhet me Presidentin Behgjet Pacolli dhe me AKR-në në qeverisje. Nuk mund të lejojmë degradimin e mëtejmë të shoqërisë tonë në punësim, edukim, shëndetësi dhe të gjitha sferat tjera të jetës”, ka shtuar ai.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti edhe këshilltari i presidentit Behgjet Pacolli për ekonomi, Ibrahim Rexhepi, i cili tha se qershori do të sjell ndryshime rrënjësore në Kosovë.

“Qytetarët duhet t’ua japin rastin atyre që qeverisin me duar të pastra dhe që mundësojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha ai ndër të tjera.

Me këtë Kuvend, ristrukturimi i degës shënoi përmbylljen e procesit të konsolidimit të të gjitha nëndegëve, si dhe Forumeve të partisë edhe në Komunën e Prizrenit.

Back to top button