​Hahn: Data më reale e liberalizimit të vizave është 2020

“Ndoshta më herët, por mos u mbani peng të datave”

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe sot u shpreh i bindur se taksa 100 përqind nuk do të hiqet, komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn tha se BE-ja është shumë i zhgënjyer me taksën ndaj mallrave të Serbisë.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe në një mënyrë të zhgënjyer, kur u vunë këto tarifa doganore, së pari 10 për qind  dhe pastaj 100 për qind, dhe kjo nuk është diçka që duhet të mbetet. Jam në dijeni, dhe të gjithë në Bashkimin Evropian jemi në dijeni për vështirësitë aktuale në tregti për Kosovën, ka nevojë të dy anët të adresojnë këto çështje. Për këtë arsye të gjitha takimet e mia kanë propozuar që të fokusohen në zgjidhjen, e çdo problemi që ka të bëjë me tregtinë ndërmjet dy shteteve”, tha ai.

Hahn në një konferencë të mbajtur në Prishtinë foli edhe për liberalizimin e Kosovës. Ai tha se një gjë e tillë merr kohë që të miratohen, të gjitha dispozitat ligjore. Sipas tij, data më reale për liberalizim është viti 2020.

“Puna është kryer nga Kosova, kur është marr vendimi, ishte radha jonë të implementojmë. Kjo ka filluar me raportin përfundimtar nga ana e Komisionit, pastaj është marr Parlamenti me këtë çështje, kanë qenë pesëqind vota për, njëqind kundër. Pra, ka pasur një shumicë të madhe. Tash çështja gjendet në Këshillin Evropian. Këshilli është ai që merr më shumë kohë, për ta kaluar këtë hap të procesit, kam shumë besim që viti 2020 është shumë realiste, ndoshta më herët, por mos mbani peng të datave”, tha kryekomisioneri Hahn.

Po ashtu, ai ka shtoi se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane. Ku sipas tij, kriteri kryesor është që të zgjidhen problemet reciproke, duke përmendur kështu dialogun me Serbinë.

“Është e rëndësishme që të fokusohemi  në dialogun me Serbinë , por gjithashtu të punohet në të gjitha reformat e nevojshme  për integrim në Evropë.  Për të mbështetur këto punë, deri më tani  kemi shpenzuar 100 milionë euro, që nga viti 2007, në total janë 2,7 miliardë euro që janë dhënë për përkrahjen e zhvillimit  shoqëror në Kosovë dhe zhvillimin politik dhe ekonomik. Jemi të përkushtuar dhe mbesim të përkushtuar edhe për të ardhmen. Një prej elementeve për të quar përpara zhvillimin rajonal ka qenë zona ekonomike, që ka pasur për qëllim largimin  e barrierave tregtare, e cila e pengon tregtinë rajonale, sepse kemi zbuluar se mundësitë për tregti ende janë të nënzhvilluara”, përfundoi ai.

Back to top button