​AAK kërkon nga Kurti që të rrisë pagat e mësimdhënësve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që kryeministri Albin Kurti të rrisë pagat e mësimdhënësve.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se seanca e sotme e Kuvendit nuk duhet të përcillet me fjalime të zakonshme, por me qëndrime konkrete nga ekzekutivi.
Sipas tij, mësimdhënësit presin sot nga kryeministri lajmin për Ligjin e pagave.
“Mbi 23 mijë mësimdhënës parauniversitarë presin nga kjo seancë solemne dy lajme, lajmi për datën kur do të hyjë në fuqi Ligji i Pagave dhe presin nëse ka pasur 10 përqind rritje ekonomike, shtesën që ata duhet të marrin nga shteti në këtë shtrenjtim të madh. Nëse kjo kthehet në seancë normale, ky është një mashtrim i radhës. Kryeministri duhet t’i lërë fjalimet e bukura elozhe, duhet të marrë vendime, duhet të rrisë pagat e të gjithë mësimdhënësve”, tha Tahiri.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit./21Media

Back to top button