Aliu thotë se me shpronësim të pronave është zhbllokuar terminali doganor
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media, ka folur për problemet që ishin në terminalin doganor të Hanit të Elezit, ku theksoi se vendimi i djeshëm i Qeverisë për shpronësim të pronave në Han të Elezit, i hap rrugë zhbllokimit të një terminali privat doganor.
Madje, ministri ka akuzuar kompaninë private për vënie pengesash në prona private e në ato të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se pengesat kanë qenë që nga 1 nëntori. Të gjithë transportuesit, sipas tij, “kanë qenë të obliguar të kalojnë në rrugën që është gjobitur, duke iu kërkuar 40 euro për të hyrë në terminalin privat si mundësi e vetme për zhdoganim mallrash”.
“Më 1 nëntor kemi marrë një ankesë nga agjendët doganorë lidhur me bllokimin e terminalit në Hanin e Elezit dhe kështu që transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojnë nëpër rrugën dhe janë gjobitur ku është kërkuar nga transportuesit të paguajnë 40 euro për t’u futur në terminalin privat atje”, ka thënë ai.
Tutje, Aliu ka theksuar se me marrëveshje pronari i pronave të privatizuara s’ka pasur të drejtë të bllokonte rrugën. Ai ka thënë se AKP-ja ka hasur në pengesa në tri prona për t’i hequr bllokadat, për të cilat prona gjykata ka vendosur që t’i japë të drejtë operatorit privat ta bllokojë pronën e AKP-së.
Këtë vendim të gjykatave, ministri e ka quajtur të çuditshëm./21Media