​Ambasada e SHBA-ve mohon se po sjellin në Kosovë afganët e papranueshëm për Shtetet e Bashkuara

 
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka demantuar lajmin e “NBC News”, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kthejnë në Kosovë afganët që dyshohet se kanë lidhje me talibanët ose grupe të tjera terroriste.
Në reagim thuhet se procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks, dhe disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve.
“Disa raporte të mediumeve kanë lënë lexuesit me përshtypjen e pasaktë se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk qëndron”, thuhet në reagim.
Ambasada e SHBA-së thotë se marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. “Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces”.
Tutje, në shkrimin e ambasadës thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mirënjohje ndaj Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara i janë mirënjohëse Kosovës për rolin e saj në ndihmën e kryerjes së detyrës së madhe të zhvendosjes së dhjetëra mijëra qytetarëve afganë për në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, përfshirë partnerët e NATO -s, e që u kanë ofruar shtëpi të përhershme afganëve që janë në rrezik. Roli i Kosovës në këtë përpjekje është një mirënjohje për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për rolin në rritje të Kosovës në skenën globale”./21Media
 
 
 

Back to top button