​Apeli lë në fuqi masën e paraburgimit për drejtorin e KPK-së

 

Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesën Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe zyrtares së lartë ekzekutive, Marigona Berisha. Kështu Apeli ka lënë në fuqi masën paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Krasniqit dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Berishës.

“Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit L.K dhe atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj të pandehurës M.B. Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 03.03.2021. I pandehuri L.K. po dyshohet nga ana prokurorisë shkak të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK); “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të KPRK-së. Ndërsa e pandehura M.B, për shkak të veprës penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, nga neni 377 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 2.7 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masave të lartcekura, ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale apo ta përsërisin veprën penale.

Gjatë ditë më parë Krasniqi e Berisha dolën para trupit Gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Seanca u mbajt në lidhje me kërkesën e Prokurorisë që të dyve t’i caktohet masa e paraburgimit si të dyshuar për veprat penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit, dhënie e ndihmës kryesuesve pas kryerjes së veprës penale dhe moslajmërim të veprës penale.

Me ç’rast mbrojtja e dy të dyshuarve e kishte kundërshtu masën e paraburgimit.

Seanca ishte mbajtur e mbyllur për publikun.

Back to top button