​Daka: Akuzat e partive politike janë të rrezikshme

 

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Valdete Daka i ka quajtur kërcënime të rrezikshme deklaratat e zyrtarëve politikë në adresë të saj lidhur me mos certifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi që ligji dhe Gjykata Kushtetuese janë ato që ua pamundëson kandidimin dhe jo ajo.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se akuzat e partive politikë janë të paprecedentë dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e KQZ-së.

“Akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresë time personalisht, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të pa precedenta dhe të rrezikshme. Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike”, tha Daka.

Daka tha se ajo nuk merr vendime në emër të KQZ-së, pasi i njëjti është organ kolegjial i përbërë edhe nga 10 anëtarë të tjerë që përfaqësojnë partitë politike.

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë. Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar. Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën ‘q’ të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit. Unë nuk e kam shkruar as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore. Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre”, u shpreh ajo.

Derisa theksoi se gjitha vendimet do të bazohen në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Mund të ndodhë që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë-herë jo. Por, megjithëkëtë, këto vendime janë të bazuara në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me të cilin i organizojmë zgjedhjet. Ky ligj është në fuqi nga viti 2008, por partitë politike nuk e kanë marrë mundimin që ta ndryshojnë përmes deputetëve të tyre. Derisa partitë politike nuk e ndryshojnë ligjin, ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi”, tha Daka.

Kryetarja e KQZ-së fitoi gjitha partitë të përmbahen nga kërcënimet dhe akuzat si dhe të respektojnë institucionet e vendit.

Back to top button